Kalo te përmbajtja
e hënë, 23 nëntor 2026
minuti.al

Minut pas minuti; burim pas burimi.

SyriTV

Fanella e Vedat Muriqit ndez ankandin në Gjenevë

08/11/2026 Syri 4 minuta lexim

Fanella e nënshkruar e sulmuesit të Kosovës nxiti një garë të fortë mes afaristëve dhe u bë kryefjala e mbrëmjes së organizuar nga FC Kosova Gjenevë.

Besniki Benz me fanellën e Vedat Muriqit, së bashku me kryetarin e FC Kosova Gjenevë, Fisnik Buçi, dhe kryetarin e UKSHFZ-së, Feti Demolli.

GJENEVË – FC Kosova Gjenevë organizoi të shtunën mbrëma një mbrëmje falënderuese për sponsorët, afaristët dhe mbështetësit shumëvjeçarë të klubit.

Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues institucionalë dhe diplomatikë, drejtues të UKSHFZ-së, personalitete të sportit dhe biznesit, si dhe figura të njohura të komunitetit shqiptar në kantonin e Gjenevës.

Pamje nga mbrëmja e FC Kosova Gjenevë, ku morën pjesë sponsorë, afaristë, përfaqësues institucionalë dhe miq të klubit.

Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari i FC Kosova Gjenevë, Fisnik Buçi, falënderoi sponsorët dhe partnerët për mbështetjen e vazhdueshme, duke vlerësuar kontributin e tyre në funksionimin dhe zhvillimin e klubit.

Një falënderim i veçantë iu kushtua presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, dhe kryetarit të UKSHFZ-së, Feti Demolli. Falë angazhimit të tyre u sigurua fanella e nënshkruar e Vedat Muriqit, e cila u soll në Gjenevë për t’u nxjerrë në ankand në mbështetje të klubit.

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, dhe kryetari i UKSHFZ-së, Feti Demolli, me fanellën e nënshkruar të Vedat Muriqit, të siguruar posaçërisht për ankandin e FC Kosova Gjenevë.

Kulmi i mbrëmjes ishte ankandi i fanellës së sulmuesit të Kombëtares së Kosovës. Oferta fillestare prej 1.000 frangash zvicerane u pasua nga një garë e fortë mes afaristëve të pranishëm, duke e kthyer fanellën në objektin më të kërkuar të mbrëmjes.

Momente nga gara për fanellën e nënshkruar të Vedat Muriqit.

Pas ofertave të shumta, fanella u shit për 3.500 franga zvicerane, shuma më e lartë e arritur gjatë ankandit. Ofertën fituese e dha afaristi Besnik Benz nga Gjeneva, ndërsa dorëzimi i fanellës u shoqërua me duartrokitje nga të pranishmit.

Besnik Benz pranon fanellën e Vedat Muriqit pas ofertës fituese prej 3.500 frangash, në praninë e Fisnik Buçit dhe Feti Demollit.

Të ardhurat e siguruara nga ankandi do të përdoren për mbështetjen e buxhetit dhe veprimtarisë së FC Kosova Gjenevë.

Pas përfundimit të pjesës zyrtare, festa vazhdoi nën tingujt e muzikës shqiptare dhe interpretimin e Vëllezërve Aliu. Të pranishmit e përmbyllën mbrëmjen në një atmosferë festive dhe familjare.

Mbrëmja dëshmoi edhe një herë fuqinë e bashkëpunimit ndërmjet sportit, biznesit dhe komunitetit shqiptar në Zvicër, ndërsa FC Kosova Gjenevë konfirmoi rolin e saj si një nga klubet shqiptare më aktive në diasporë.

Organizatorët, sponsorët dhe mysafirët në përfundim të mbrëmjes së FC Kosova Gjenevë.